Ditët e Librit në Toptani

< KTHEHU TE LISTA

3/4/2022

Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe qendra Toptani zhvillojnë Ditët e librit me plot surpriza: oferta deri në -50%, stenda me librat më të pëlqyer nga lexuesit dhe autografe nga autorët shqiptarë. Këtë muaj shpallen edhe librat më të mirë të botuar gjatë vitit 2021.

Ditët e Librit është ngjarja më e bukur librore që organizojnë bashkërisht platfoma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe qendra tregtare Toptani, në zemër të kryeqytetit. Kjo festë përkon me Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, më 2 prill dhe Ditën Botërore të Librit, më 23 prill.

Në vijim të një tradite të konsoliduar tashmë nga Bukinist dhe partnerët e tij strategjikë, - për ta çuar librin aty ku është lexuesi, dhe për ti kthyer hapësirat publike dhe tregtare në mjedise kulturore, - më datën 2 prill fillon maratona 3-javore me ngjarje, oferta dhe cmime për autorët.

“Ditët e librit” mirëpret lexuesit e të gjitha moshave në qendrën Toptani, ku do të kemi një larmishmëri ofertash, të cilat variojnë deri në -50%. Në qendër do të jenë autorët, sepse prilli është festa e tyre. Prandaj, librat e klasikëve dhe autorëve shqiptarë dhe të huaj do të jenë me ulje për lexuesit.

Po ashtu, ne synojmë që të vendosim kontakte të drejtpërdrejta mes autorëve dhe lexuesve. Për këtë arsye, lexuesit do të gjejnë autorët e tyre të pëlqyer në stendat e panairit “Ditët e librit”. 10 ditë e para kanë në fokus letërsinë për fëmijë, prandaj ne do të mbështesim autorët shqiptarë si Rudina Çupi, Rovena Rroshani, Rejv Dervishi, Anila Mullai, Ana Tisi, etj. Më tej, do të jenë në fokus edhe autorë të tjerë të letërsisë bashkëkohore.

Prilli shënon momentin më të bukur për Bukinist.al sepse shpallen fituesit për votimet online për librin më të mirë të botuar gjatë vitit 2021 nga entet tona botuese, në gjashtë kategori: Libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i motivimit dhe zhvillimit personal. Fituesin e parë do ta zbulojmë më 2 prill ku do të shpallin librin më të mirë për fëmijë, të botuar gjatë vitit të kaluar. Më datën 23 prill, pikërisht në vigjilje të Ditës Botërore të Librit, - do të shpallin edhe fituesit për pesë kategoritë e tjera.

 

Aktiviteti “Ditët e Librit” organizohet nga Bukinist.al, dhe nga Qendra Toptani, në misionin e bukur për të promovuar librin shqip dhe procesin e leximit në të gjitha hapësirat ku jetojmë dhe punojmë.